"Praktika profesionale", për profesionin e rregulluar të punonjësit social, është ushtrimi i profesionit nga ana e praktikantit për një periudhë të caktuar kohe, nën udhëheqjen dhe përgjegjësinë e një profesioninsti punonjës social të kualifikuar dhe me përvojë, e cila realizohet për të fituar të drejtën e hyrjes në provimin e shtetit.
Praktika profesionale synon përvetësimin efektiv të njohurive teknike, praktike dhe etike të profesionit, mënyrat e së cilës përcaktohen nga autoriteti kompetent, me propozimin e UP-së përkatëse.
Praktika profesionale zhvillohet nën drejtimin e një profesionisti, person fizik apo juridik. 3. Autoriteti kompetent, në bashkëpunim me UP-në, kur ka një të tillë, bën regjistrimin e kandidatëve për kryerjen e praktikës profesionale dhe siguron që praktika të kryhet nën drejtimin e një profesionisti, i cili e ushtron profesionin prej jo më pak se tre vjetësh dhe jep garanci të mjaftueshme për përgatitjen teoriko-praktike të praktikantit. Në përfundim të praktikës profesionale, kandidati i nënshtrohet “Vlerësimit për aftësimin praktik”, të organizuar dhe të zhvilluar nga autoriteti kompetent, nëpërmjet strukturave të veta. Praktika profesionale konsiderohet e kryer vetëm pas vlerësimit pozitiv të aftësimit praktik. Modalitetet e organizimit të vlerësimit të aftësimit praktik përcaktohen në rregulloren e praktikës profesionale, që miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit që mbulon fushën përkatëse dhe të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikantit i paguhen sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore nga subjekti pranë të cilit ai kryen praktikën profesionale.
Pika 5 Shfuqizohet
Përjashtohet nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale çdo individ, i cili provon se, për një periudhë të caktuar dhe në përputhje me kriteret specifike të një profesioni të rregulluar, ka qenë i angazhuar në një veprimtari profesionale, brenda ose jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë një përvojë profesionale të mjaftueshme në fushën e këtij profesioni.
Autoriteti kompetent, në bashkëpunim me UP-në përkatëse, përcakton kriteret, që përdoren për të vlerësuar nëse përvoja profesionale e kandidatit është e mjaftueshme për ta përjashtuar nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale, përmes një vendimi përfundimtar.
Për reference shikoni dokumentacionin e mëposhtëm: